202105.25
0

Shtesa e ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Problematikat e hasura në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor janë faktorët kryesorë të shkaktimit të aksidenteve rrugore duke sjellë dëme të kategorizuara sipas rastit në dëme materiale, shëndetësore etj. dhe jo rrallë me pasoja fatale. Ligjvënësi, tradicionalisht tenton të përforcojë masat rregullatore me qëllim parandalimin e këtye ngjarjeve. Gjithsesi, ligji edhe pse instrument kryesor për adresimin e problematikave jo gjithmonë përfaqëson mënyrën më efikase të arritjes së rezultateve të dëshiruara.

Edukimi që herët, rritja e ndërgjegjësimit për pasojat që shoqërojnë thyerjen e rregullave të qarkullimit rrugor, aplikimi i fushatave sensibilizuese në mënyrë periodike, përmirësimi i infrastrukturës rrugore etj., janë vetëm disa nga elementet thelbësorë në parandalimin e aksidenteve.

Në këtë kontekst, në datën 07.05.2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr.63/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, dt.22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ky ligj është përafruar pjesërisht me Direktivën 2014/45/BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 3 prill 2014 “Mbi kontrollin teknik periodik të automjeteve dhe rimorkiove të tyre, dhe që shfuqizon Direktivën 2009/40/KE”.

Disa nga ndryshimet kryesore në këtë ligj janë :

  • Nenit 2, i shtohet pika 9 e cila përfshin përcaktimin e sinjalistikës rrugore në afërsi të të cilave ka institucione arsimore, sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës në fuqi.
  • Neni 7 sjellë ndryshimin e pikës 12, ku përcaktohet se cilido që nuk respekton ndalimin e qarkullimit, qarkullon në sens të kundërt me atë të lejuar, nuk zbaton detyrimin e përparësisë dhe të ndalimit në kryqëzim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në dhjetë mijë lekë. Gjithashtu, për qarkullimin në sens të kundërt me atë të lejuar, përveç masës së mësipërme, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit për një periudhë 3-mujore dhe i hiqen pikët nga leja e drejtimit sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës në fuqi.
  • Neni 50 përkufizon kuptimin e mjeteve me pedale dhe mjeteve me motorr elektrik.
  • Në nenin 92 janë shfuqizuar pikat 5 dhe 8, ndërkohë që është shtuar pika 6/1 ku përcaktohet se cilido që qarkullon me një mjet të blinduar për të cilin mungon autorizimi i lëshuar nga organi kompetent, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit. Të njëjtat masa zbatohen ndaj zotëruesit të mjetit nëse ky i beson mjetin një drejtuesi të paautorizuar”.
  • Në nenin 93, ndryshohet pika 1 ku përcaktohet se, në rast ndryshimi pronësie të mjeteve rrugore ose në rastin kur u jepen në përdorim të tjerëve apo kur lidhen marrëveshje për qiradhënie me të drejtë blerjeje, personi i interesuar, brenda 30 ditëve nga data kur nënshkrimi i aktit është vërtetuar ose është gjykuar i rregullt, paraqitet pranë degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila merr masa për regjistrimin e ndryshimit të pronësisë ose të ndryshimeve të tjera”.

Për këto dhe të tjera shtesa e ndryshime, më poshtë gjeni Ligjin nr.63/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, dt.22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

http://parlament.al/Files/Akte/20210517173608ligj%20nr.%2063,%20dt.%207.5.2021.pdf