Miratohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile
Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti, me datë 23.03.2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr.44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8116, dt.29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Shtesat dhe ndryshimet kryesore në këtë ligj janë përmbledhur në dispozitat e mëposhtme:
Neni 35, paragrafi 4 fjalia e dytë tashmë parashikon se gjykata e apelit shqyrton me një gjyqtar të vetëm ankimet kundër vendimeve për paditë me vlerë deri në njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi, që rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore, ankimin e veçantë kundër vendimit të refuzimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, ankimet e veçanta kundër vendimit të gjykatës që ka shqyrtuar kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, si dhe rastet e tjera të parashikuara në këtë Kod.
Gjithashtu po në nenin 35, në paragrafin e fundit është bërë shtesa në lidhje me njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, ku parashikohet se Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë.
Për sa i përket padive me vlerë deri në 150 000 lekë të cilat rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore, në nenin 162/a tashmë kemi një zëvendësim të këtij togfjalëshi që përfshinte shumën më sipër me togfjalëshin “deri në njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi”.
Po ashtu dhe pika 4 e këtij neni ndryshon si më poshtë:
“Në rast se vlera e padisë është më e vogël se njëzetfishi i pagës minimale në shkallë vendi dhe vlera e kundërpadisë tejkalon njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi, gjykimi zhvillohet sipas dispozitave të përgjithshme për gjykimin e zakonshëm”.
Në lidhje me gjykimin në apel në dhomë këshillimi neni 465/5, pika 3 ndryshohet si më poshtë:
Gjykata në dhomë këshillimi vendos kalimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve në rast se çmon se debati gjyqësor është i nevojshëm:
- për të vlerësuar nëse duhen marrë apo pranuar fakte ose prova të reja, sipas nenit 465 të këtij Kodi; ose
- kur vë në diskutim çështje të faktit ose të ligjit, për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre.”
Në nenin 466, pas paragrafit të parë të këtij neni është shtuar parashikimi se kundër vendimit të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes lejohet rekurs i veçantë.
Sipa këtij ligji, po ashtu shtohet neni 471/a i cili parashikon se ankimet dhe rekurset e veçanta kundër vendimeve jopërfundimtare do të shqyrtohen në dhomë këshillimi brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit të tyre në gjykatën më të lartë.
Për kufijtë e shqyrtimit të rekursit në nenin 473/a tanimë pas paragrafit të parë shtohet se në rastet kur Gjykata e Lartë vë në diskutim çështje të ligjit, të cilat merren në shqyrtim kryesisht dhe për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, përpara shqyrtimit urdhërohet njoftimi i palëve dhe caktohet afati për depozitimin e parashtresave të tyre për çështjet e ligjit. Njoftimi në këto raste kryhet sipas rregullave të përgjithshme.
Neni 474 i cili parashikon nënshkrimin e rekursit ndryshohet si më poshtë:
“Rekursi dhe të gjitha kërkesat e tjera që paraqiten në Gjykatën e Lartë nënshkruhen nga avokati që e përfaqëson palën dhe, nëse pala e kërkon, edhe nga kjo e fundit.”
Gjithashtu, është shtuar neni 482/a që parashikon vendimin e Gjykatës së Lartë në dhomë këshillimi për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve në rast se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; vlerësohet e nevojshme nga Kolegji Civil thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të problematikës ose kompleksitetit të çështjes, sipas shkronjave “b” dhe “c” të nenit 472, si dhe paragrafit të dytë të nenit 473/a të këtij Kodi.
Ndërkohë, vendimi i mësipërm, data dhe ora e seancës gjyqësore u njoftohen palëve nga sekretaria gjyqësore sipas rregullave të përgjithshme të njoftimit të paktën 15 ditë para datës së zhvillimit të seancës.
Shtohet neni 483/a për procedimet paragjykimore, në të cilën parashikohet se nëse Kolegji Civil ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të çështjes, në dhomë këshillimi ose në seancë gjyqësore, vendosin t’i drejtohen Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ose gjykatave të tjera ndërkombëtare sipas detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, ata marrin vendim për pezullimin e shqyrtimit të çështjes.
Ky vendim pezullimi zgjat deri në dhënien e vendimit nga gjykata ndërkombëtare. Palëve u njoftohet vendimi i gjykatës ndërkombëtare së bashku me datën e seancës së radhës në Gjykatën e Lartë.”.
Për këto dhe të tjera shtesa e ndryshime, më poshtë gjeni Ligjin nr.44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8116, dt.29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
https://www.parlament.al/LibrariaAkteve/LibrariaAkteDetails/6389