Ligji Nr.66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”
Bonjour Blockchain[1]
Në datën 21.05.2020, Kuvendi ka miratuar Ligjin nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Nisur nga natyra e këtij ligji, përshtatja dhe metabolizimi i një infrastrukture të tillë ligjore të avancuar kërkon kohë, ndoshta për këtë arsye edhe hyrja në fuqi e tij nuk ka ndjekur afatin minimal prej 15 ditësh për hyrjen në fuqi, por ligjvënësi ka përcaktuar një datë konkrete të mëvonshme, datën 1 shtator 2020. Megjithatë, një kohë më e gjatë do të jetë e nevojshme për implementimin e tij.
Duke parashikuar një dispozitë të posaçme deleguese, Kuvendi ka përcaktuar kompetencë legjislative për nxjerrjen e legjislacionit dytësor, të ndarë ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Një detajim i tillë do të qartësojë edhe zbatimin e ligjit në praktikë.
Më konkretisht, ky ligj synon të rregullojë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia e regjistrave të shpërndarë “Distributed Ledger Technology” (DLT[2]: shembulli më i zakonshëm i të cilit është ‘blockchain’).
Nëpërmjet këtij instrumenti rregullator përcaktohen kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave, mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin dhe tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale si dhe autorizimin nga autoritetet kompetente.
Teknologjia e regjistrave të shpërndarë mundëson për herë të parë, kryerjen e transaksioneve ekonomike të sigurta ndërmjet dy palëve në distancë, pa përfshirjen e ndërmjetësuesve ose palëve të treta, si garantues të besueshmërisë. Këta regjistra përmbajnë në çdo kohë informacion të plotë dhe të pandryshueshëm mbi të dhënat e historikun e transaksioneve të çdo vlere të integruar në këto sisteme, i cili dakordësohet e përditësohet në mënyrë periodike nga të gjithë përdoruesit e tij.
Tokenizimi është një metodë që konverton të drejtat ndaj një aktivi në një token digjital. Tokenët digjitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varura nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë, të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve.
Një mjedis i mirërregulluar i emetimit, ofrimit dhe tregtimit të aktiveve virtuale pritet të sjellë përfitime thelbësore si për ekonominë e vendit, ashtu edhe për zhvillimin e tregjeve financiare në tërësi, si: rritja e efiçencës së tregut, mbështetja e formacionit të aftësive në tregun lokal të punës, nxitja e financimeve për kompanitë shqiptare nëpërmjet alternativave të reja të financimit, mbështetja e sistemeve të reja të pagesave, si dhe promovimi i vendit si një ambient kompetitiv për biznesin inovativ. Për më tepër, rregullimi i këtij sektori do të mbrojë investitorët potencialë shqiptarë nga përfshirja në ndonjë skemë të mundshme mashtrimi.
Investitorët mund të zgjedhin të mbajnë vetë asetet e tyre virtuale, dmth. ata janë në kontroll të plotë të çelësave të tyre privatë, duke përdorur si magazinë ruajtjeje hardware ose software. Avantazhi kryesor i kësaj metode është se investitori mbetet pronari i vetëm i çelësave të tij privatë në çdo kohë, gjë që zvogëlon rrezikun e një hakerimi, pasi nuk ka asnjë pikë qendrore të dështimit.
Megjithëse teknologjia DLT mund të ofrojë një numër përfitimesh të mundshme, ajo gjithashtu, ngre një numër rreziqesh e çështjesh specifike për faktin se është ende një teknologji e re dhe se funksionon mbi parimin e “regjistrit të shpërndarë”.
DLT-ja mund të paraqesë si rreziqe ashtu edhe mundësi në një botë ku kornizat për mbrojtjen e të dhënave janë duke u eksploruar nga politikëbërësit. Nga privatësia në financa, deri tek lehtësimi në ndarjen e të të dhënave, mbetet për vlerësim të mëtejshëm se cilat mjete të reja ofron DLT-ja dhe si mund të gjejmë ekuilibrin e duhur midis privatësisë dhe transparencës për qëllime të zbatimit të ligjit.
Për më tepër, mund të gjeni më poshtë Ligjin “Për Tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
http://www.parlament.al/Files/Akte/20200603130931ligj%20nr.%2066,%20dt.%2021.5.2020.pdf
[1] https://www.oecd.org/finance/2019-OECD-Global-Blockchain-Policy-Forum-Summary-Report.pdf
[2] Një term ombrellë për të përcaktuar sisteme shumëpalëshe që veprojnë në një mjedis pa asnjë operator qendror ose autoritet, pavarësisht palëve që mund të jenë jo të besueshme ose dashakeqe. Ref: https://euagenda.eu/publications/blockchain-and-distributed-ledger-technologies-in-the-humanitarian-sector