202105.06
0

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut merr masë të përkohshme ndaj Shqipërisë

Në datë 21.04.2021 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nëpërmjet një letre zyrtare u shpreh në lidhje me aplikimin nr. 20204/21 “Shkullaku dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë të Stukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nr.131 të 18 Prillit 2021 dhe të ndalojnë sekuestrimin e çdo pajisjeje për ruajtjen e të dhënave dhe të dhënave kompjuterike/elektronike që i përkasin aplikantit.

Në bazë të rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo e fundit mund të vendosë masat të përkohshme të cilat janë detyruese për shtetin e interesuar. Masat e përkohshme aplikohen vetëm në raste përjashtimore. Gjykata mund të lëshojë masa të përkohshme kundër një shteti anëtar, vetëm pasi ka shqyrtuar të gjithë informacionin përkatës dhe kërkuesi përballet me një rrezik serioz apo dëm të pakthyeshëm nëse këto masa nuk aplikohen.

Në letrën e saj të datës 21.04.2021, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka njoftuar aplikantin se duhet të plotësojë dokumentacionin origjinal, me kopje të të gjitha dokumenteve me rëndësi, përfshirë kopje të vendimeve të gjykatave të brendshme, brenda datës 21.05.2021, në mënyrë që aplikimi të shqyrtohet me tej.

Theksojmë se kërkesa për masat e përkohshme duhet të merret sa më shpejt që të jetë e mundur, pas vendimit të marrë nga gjykata e brendshme e shtetit anëtar, në mënyrë që t’i mundësohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të regjistrojë çështjen për të patur kohën e mjaftueshme për ta shqyrtuar aplikimin.

Kur një masë e përkohshme aplikohet, aplikanti duhet të mbajë të informuar rregullisht dhe në mënyrë të menjëhershme Gjykatën Evropiane, për çdo fazë të procedimit nga ana e gjykatës së brendshme të shtetit anëtar në fjalë.

Vëmendja e palëve tërhiqet nga fakti që mosrespektimi nga shteti kontraktues i një masë të treguar në bazë të rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës, mund të sjellë shkelje të nenit 34 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në të cilën parashikohet se, Gjykatës mund t’i paraqiten kërkesa nga çdo person, organizëm joqeveritar ose grup individësh që pretendon se është viktimë e një shkelje prej njërës nga Palët e Larta Kontraktuese, e të drejtave të parashtruara nga Konventa ose protokollet e saj. Palët e Larta Kontraktuese, marrin përsipër të mos pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin e kësaj të drejte.

Përsa më sipër, GJEDNJ bën referencë edhe me paragrafët 128 dhe 129 të vendimit të Dhomës së Madhe të 4 shkurt 2005 në çështjen Mamatkulov dhe Askarov kundër Turqisë (aplikimi nr. 46827/99 dhe nr. 46951/99), ku më konkretisht në këta dy paragrafë parashikohet se:

“128. Gjykata përsërit se në bazë të nenit 34 të Konventës Shtetet kontraktuese marrin përsipër të përmbahen nga çdo veprim ose mosveprim që mund të pengojë ushtrimin efektiv të së drejtës së aplikimit të një individi. Një dështim nga një Shtet Kontraktues për të përmbushur masat e përkohshme duhet të konsiderohet si parandalim i Gjykatës nga shqyrtimi efektiv i ankesës së kërkuesit dhe si pengim i ushtrimit efektiv të së drejtës së tij dhe të saj, dhe, në përputhje me rrethanat, si shkelje e Nenit 34.

  1. Duke pasur parasysh materialin përpara saj, Gjykata arrin në përfundimin se, duke mos respektuar masat e përkohshme të treguara në rregullin 39 të rregullave të gjykatës, Turqia po shkel detyrimet e saj sipas nenit 34 të Konventës.”.

Në link-un më poshtë do të gjeni letrën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

COURT-7003525-v2-20204_21_LE2_2a_R39_Granted_Only