GJEDNJ shprehet për Shërbimet e Inteligjencës Britanike
Pas shumë vitesh betejë ligjore, Dhoma e Madhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) u shpreh për çështjen e organizatës britanike, që merret me mbrojtjen dhe privatësinë e shtetasve, Big Brother Watch kundër Mbretërisë së Bashkuar.
Big Brother Watch ka dërguar 3 kërkesa në GJEDNJ, në datat 4 Shtator 2013, 11 Shtator 2014 dhe 20 Maj 2015 duke pretenduar se Shërbimet e Inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar kishin shkelur nenet e Konventës Evropiane, konkretisht nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) dhe nenin 10 (Liria e shprehjes). Kërkesat e tyre kanë konsistuar si më poshtë:
(1) përgjimi në masë i komunikimeve;
(2) marrja e materialeve të përgjimit nga qeveritë e huaja dhe Agjencitë e Inteligjencës;
(3) marrja e të dhënave të përdoruesve nga ofruesit e shërbimeve të komunikimit.
Dhoma e Madhe në GJEDNJ në mënyrë unanime është shprehur se shërbimet britanike kanë cënuar nenin 8 të Konventës Evropiane duke aksesuar të dhënat e përdoruesve nga ofruesit e shërbimeve të komunikimit, po ashtu kanë cënuar edhe nenin 10, atë të lirisë së shprehjes, duke përgjuar në masë komunikimet e qytetarëve dhe duke përfituar informacion për bisedat mes tyre.
Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se për shkak të kërcënimeve të shumta me të cilat përballen shtetet në shoqërinë moderne, operimi i një regjimi të tillë të përgjimit në masë, nuk e ka shkelur Konventën. Gjithsesi përgjimi në masë i qytetarëve duhet t’i nënshtrohet një autorizimi të pavarur në fillim, ku të vlerësohet objekti dhe fusha e veprimtarisë.
Për më tepër më poshtë do të mund të gjeni linkun e deklaratës për shtyp nga ana e Gjykatës: