Çështja e refugjatëve afganë nën optikën e Këshillit të Europës dhe Qeverisë shqiptare
Afganistani tashmë prej vitesh, është shfaqur si një vatër konfliktesh mes grupeve ekstremiste talebanë, trupave amerikane ushtarake dhe popullsisë civile. Talebanët u shfaqën si një nga fraksionet në luftën civile në vitin 1994, duke marrë kontrollin e shumicës së vendit deri në vitin 1996 dhe vendosën si bazë të qeverisjes së tyre versionin e rreptë të Sheriatit ose ligjit islam.
Me ndërhyrjen e forcave ushtarake të SHBA, talebanët u rrëzuan nga pushteti edhe pse vazhduan një luftë guerrile kundër qeverive të mbështetura nga Perëndimi.
Së fundmi trupat amerikane janë tërhequr nga Afganistani duke përmbyllur një mision 20-vjeçar dhe për pasojë, talebanët arritën të marrin kontrollin përfundimtar dhe të plotë të territorit, duke terrorizuar dhe duke kryer krime ndaj popullsisë civile. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, organizmat ndërkombëtarë reaguan në një zgjidhje të shpejtë, e cila konsistonte në strehimin e refugjatëve afganë, në shtetet anëtare të Këshillit të Europës, duke përfshirë dhe Republikën e Shqipërisë. Edhe kur situata në Afganistan nuk kishte degraduar si në gjendjen aktuale, shumë shtetas afganë kanë ushtruar të drejtën e kërkimit të strehimit jashtë vendit të tyre. Sipas statistikave të Eurostat për vitin 2020, afganët, përbënin 10.6% të azilkërkuesve në Bashkimin Evropian, duke qëndruar pas sirianëve që kapnin shifrën prej 15.2%.
Ndërkohë, nga Strasburgu, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, është shprehur se shtetet anëtare të Këshillit të Europës duhet të përshpejtojnë përgatitjen e mjediseve të tyre të pritjes dhe azilit me standardet e duhura për mbërritjet e mundshme të refugjatëve afganë, për të parandaluar mbipopullimin, duke theksuar se këta refugjatë nuk duhen lënë në një gjendje të zgjatur pasigurie. Gjithashtu ajo ka shtuar se shetetet duhet të sigurojnë që qëllimi i ‘parandalimit të migrimit të parregullt’ nuk do të çojë në mohimin de facto të të drejtave të njeriut.
Në koherencë me deklaratën e Komisioneres, duke iu referuar ngjarjeve të fundit në kufijtë polakë dhe letonezë me Bjellorusinë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur, pavarësisht detyrimeve të Bjellorusisë sipas së drejtës ndërkombëtare në lidhje me çështjen e ankuesve, në përputhje me Rregullat e Gjykatës t’u kërkojë autoriteteve polake dhe letoneze t’i furnizojnë ankuesit me ushqime, ujë, veshje, kujdes mjekësor dhe në qoftë se është e mundur, strehim të përkohshëm. Njëkohësisht, Gjykata ka bërë të qartë se këto masa nuk nënkuptojnë detyrimin e Polonisë dhe Letonisë për t’i lejuar ankuesit të hyjnë në territoret e tyre. Ajo ka bërë me dije gjithashtu se ky vendim është marrë në përputhje të plotë me faktin që Palët e Larta Kontraktuese kanë të drejtën të kontrollojnë hyrjen, qëndrimin dhe largimin e të huajve.
E drejta për të kërkuar azil dhe për të përfituar azil është parashikuar që me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila përmbledh Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për statusin e refugjatit” 1951 dhe Protokollin e saj të vitit 1967, për të vijuar në pas me Direktiva të BE dhe Konventa të tjera rajonale. Ndërkohë, Republika e Shqipërisë ka si bazë ligjore Ligjin Nr.10/2021 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” dhe së fundmi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.501 të datës 25.08.2021, në të cilën u jepet mbrojtje e përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit si dhe krijohet e task-forca për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes kombëtare, duke u bazuar në ligjin nr.10/2021 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.
Për më tepër informacion, më poshtë gjeni link-et përkatëse.
https://www.parlament.al/Files/Akte/20210203145606ligj%20nr%20%2010%20dt%20%201%202%202021.pdf
https://qbz.gov.al/eli/vendim/2021/08/25/501/0ab7368a-d320-42d0-951e-7a3fd720f3c2
http://hudoc.echr.coe.int/eng-press?i=003-7100942-9612632
Kristiana Kalo Associate
Denajda Leka Intern
Frenkli Hasimllari Intern