Ndalimi i Tregtimit të Produkteve për Torturat e Trajtimet Çnjerëzore në RSH
Tortura dhe trajtimi çnjerëzor ose degradues janë konsideruar ndër krimet më brutale kundër njerëzimit jo vetëm përgjatë luftrave shekullorë por ende dhe sot praktikohet në shumë vende të botës, edhe pse janë të ndaluara në mënyrë absolute nga aktet ndërkombëtare si KEDNJ, DUDNJ etj.
Fusha e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve të cilat nuk kanë përdorim tjetër, përveçse ekzekutimin e dënimit me vdekje, torturave dhe trajtimeve e dënimeve të tjera mizore, poshtëruese ose çnjerëzore, nuk është e rregulluar në Republikën e Shqipërisë.
Për këtë arsye, nga Këshilli i Ministrave është propozuar dhe depozituar në Kuvend, Projektligji “Për kontrollin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese” i cili ka për qëllim rregullimin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese si edhe furnizimin me shërbime të ndërmjetësimit, ndihmës teknike, trajnimin dhe reklamën lidhur me këto produkte.
Mallrat të tilla mungojnë në listat e kontrollit të eksportit ushtarak, në ato me përdorim të dyfishtë ose të mallrave të tjera strategjike dhe mund të prodhohen apo të tregtohen pa autorizim apo licencim si dhe mund të shiten pa kufizim te të gjithë qytetarët.
Rregullimet e propozuara në këtë projektligj kufizojnë këtë treg dhe e rregullojnë atë, duke e kushtëzuar tregtimin e këtyre produkteve me një regjim autorizimesh, që do të lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), si struktura shtetërore përgjegjëse për lëshimin e autorizimeve të përcaktuara lidhur me eksportin, importin, transitin, ofrimin e ndihmës teknike dhe veprimtari ndërmjetësuese.
Mallrat që mund të përdoret për dënime me vdekje ose për torturë kategorizohen në dy grupe të mëdha:
- Mallra që në thelb janë abuzive dhe nuk duhet të tregtohen fare (import/eksport/transit). Këto mallra dhe përbërësit e tyre janë të krijuara ose përdoren për ekzekutimin e qenieve njerëzore ose për torturën/keqtrajtimin e tyre;
- Mallra të cilat duhet t’i nënshtrohen disa kufizimeve. Këto mallra mund të kenë përdorime të ligjshme, të tilla si pajisjet që përdoren nga autoritetet e zbatimit të ligjit, si dhe kimikate të caktuara farmaceutike, por mund të përdoren edhe për ekzekutimin e qenieve njerëzore ose për torturën/keqtrajtimin e tyre.
Përjashtim nga rregullimet e këtij projektligji do të jenë:
- Përdorimi i këtyre produkteve për arsye muzeore;
- Armët e zjarrit, të kontrolluara sipas legjislacionit në fuqi;
- Artikujt me përdorim të dyfishtë, të kontrolluara sipas legjislacionit në fuqi;
- Mallrat ushtarake, të kontrolluara sipas legjislacionit në fuqi.
Sistemi i kontrollit të eksportit të BE-së zbaton standarde të larta të kontrolleve dhe shërben si pikë referimi për shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Kontrollet me përdorim të dyfishtë plotësojnë drejtpërdrejt kontrollet mbi eksportet e armëve dhe ndjekin objektiva kryesisht të ngjashëm. Masat kufizuese (sanksionet) luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e përhapjes së armëve luftarake dhe terrorizmit dhe gjithashtu, promovojnë sigurinë rajonale dhe të drejtat e njeriut.
Për më tepër rreth këtij projektligji, gjeni më poshtë linkun përkatës: