202211.23
0

RIFORMËSIMI I HAPËSIRËS DIGJITALE EUROPIANE NËPËRMJET INICIATIVAVE LEGJISLATIVE TË KOMISIONIT EUROPIAN

DSA ( The digital services Act)

Sot më shumë se kurrë më parë njerëzit po shikojnë se përtej botës reale në të cilën ata ndërveprojnë, po merr terren një dimension tjetër, ai i hapësirës digjitale. Shërbimet publike ofrohen në platforma online, ndërsa ato private në tregje online si psh. Amazon. Kjo ka vënë në dukje avantazhet dhe disavantazhet e këtyre tregjeve, duke na shtruar një pyetje thelbësore: A ka ardhur koha që të ndërtohet një legjislacion sistematik koordinator i kësaj hapësire? Përgjigjia është po, dhe ky reformim do të sjellë mjaft përfitime për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë.

Çfarë është Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) dhe çfarë grupi interesi prek ai?

Akti i Shërbimeve Digjitale është një propozim i Komisionit Europian (KE) i cili ka pasuar iniciativa të tjera të mëparshme që kanë pasur në fokus sigurinë dhe kontrollin e tregut të vetëm online. Një prej tyre ka qenë “ e-Commerce Directive” e miratuar në 8 qershor 2000, e cila ka pasur si qëllim heqjen e pengesave territoriale të tregjeve të brendshme si dhe siguri digjitale për bizneset dhe konsumatorët.[1] Në vazhdim të kësaj iniciative, por tanimë 20 vjet më vonë kur edhe rrethanat e zhvillimit të tregjeve online kanë ndryshuar, Komisioni Europian është paraqitur me rregulla të reja të cilat synojnë unifikimin, transparencën dhe mbrojtjen e palëve. Kjo nëpërmjet propozimit që u prezantua më 15 dhjetor 2020, ku fillimisht është miratuar Akti i Tregjeve Digjitale më 25 mars 2022 dhe Akti i Shërbimeve Digjitale në 23 prill 2022.[2]

Qëllimi kryesor i këtyre rregullave të reja ka qenë:

  • Të krijohet një hapësirë digjitale më e sigurt ku të drejtat themelore të përdoruesve të shërbimeve digjitale të respektohen;
  • Të krijohet një treg konkurrues, i drejtë dhe inovativ, si në tregun europian dhe atë global.

Si qëllim kryesor, për qytetarët është mbrojtja e të dhënave personale në internet, më shumë mundësi zgjedhjeje me kosto të reduktuara, si dhe më pak ekspozim ndaj materialeve ilegale ose të padëshiruara. Për bizneset do të ofrohet më shumë siguri digjitale, harmonizim i ligjit si dhe ngritje më e lehtë e biznesit.[3]

Këto rregulla do të aplikohen në shërbimet ndërmjetëse, të cilat në vetvete përbëhen nga nënndarje më të vogla. Shërbimet ndërmjetëse janë për shembull, kompanitë të cilat bëjnë të mundur aksesin në internet si VODAFONE ose EAGLE ose websitet që mundësojnë shpërndajen e domain-ve si Web.com.[4] Në shërbimet ndërmjetëse bëjnë pjesë shërbimet pritëse (ose hosting services), të cilat bëjnë të mundur funksionimin e rregullt të websiteve ose të të dhënave, si psh BlueHosting. Më pas vijnë platformat online të cilat janë më të shumta në numër dhe që aksesohen nga përdoruesit e internetit sic janë (në rastin tonë) programet e shit-blerjes, rrjetet sociale ose platforma ekonomike të përbashkëta. Në këto më pas futet dhe kategoria e fundit ku përfshihet platformat shumë të mëdha të cilat vizitohen nga një numër përdoruesish që është më e madhe se 10% e popullsisë së Bashkimit Europian. [5]

Me rregullat e reja shërbimet e ndërmjetme detyrohen të bëjnë raportime transparence; të përfshijnë në TERMS OF SERVICE të drejtat themelore të njeriut; të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore për të parandaluar shpërndarjen e shërbimeve ilegale; të kenë pika kontakti si dhe një përfaqësues ligjor të tyre si dhe t’u ofrojnë përdoruesve informacion shtesë.

Në vijim tanimë ata duhet të raportojnë kundërvajtjet penale në hapësirën digjitale, dhe/ose të ofrojnë mekanizma ankimi dhe mundësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet vet pa rrugë gjyqësore. Këto platforma duhet të veprojnë efektivisht kundër veprimeve të jashtëligjshme duke marrë masa. Gjithashtu me Aktin e Shërbimeve Digjitale ndalohen reklamat që shënjestrojnë kategori të caktuar individësh duke iu referuar të dhënave si: mosha, orientimi politik, seksual, etniciteti, ose profileve të tyre në përgjithësi. (Shiko DSA)

Si do të ndikojnë këto rregulla në realitet?

Në rradhë të parë ky akt synon të zgjerojë më tepër të drejtën e shprehjes duke mbrojtur anonimitetin e përdoruesve të rrjetit në BE por edhe më tej. Përveç kësaj, platformat shumë të mëdha, pra ato që kanë mbi 10% të përdoruesve të BE-së, do të jenë nën vëzhgimin dhe kontrollin publik. Kjo do të prek problematikën e reklamave që shënjestrojnë grupe të caktuara njerëzish. Do të bëhet i mundur identifikimi i shërbimeve ilegale dhe atyre që qëndrojnë pas tyre me ndihmën e masave të lartpërmendura. Studiuesit e sigurisë kibernetike do të kenë akses në informacione që lidhen me risqet online. Si dhe do të krijohet një strukturë e centralizuar e Bashkimit europian që do të merret me kontrollin e hapësirës digjitale. Në këtë mënyrë qytetarët do të ndihen po aq të sigurt në hapësirën online sa ndihen edhe në botën fizike. Aktualisht si vend kandidat në Bashkimin Europian, Shqipërisë i nevojitet specifikisht ky akt sidomos pas skandaleve të njëpasnjëshme të rrjedhjes dhe hakërimit të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë.  Akti i Shërbimeve Digjitale dhe ai i Tregjeve Digjtale kanë për synim revolucionimin e shpërndarjes së informacionit dhe shërbimeve duke e bërë atë më të sigurt dhe të lehtë.

*Artikull i shkruar nga Fausta Gjika, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Luarasi.


[1] Directive on electronic commerce (8 June 2000) Official Journal L178, 17.07. 2000 p. 0001-0016

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/ALL/?uri=celex:32000L0031

[2] The Digital Services Act package (12 October 2022) European Commission

https://digital-strategy.ec.europa.eu/en/policies/digital-services-act-package

[3] The Digital Services Act: ensuring a safe and accountable online environment (12 October 2022) European Commission

https://ec.europa.eu/info/strategy/priorities-2019-2024/europe-fit-digital-age/digital-services-act-ensuring-safe-and-accountable-online-environment_en

[4] https://www.lawinsider.com/dictionary/intermediary-service

[5] Layer Four: Very large online platforms and search engines. 2022 Allen&Overy

https://www.allenovery.com/en-gb/global/news-and-insights/digital-services-act/layer-four-very-large-online-platforms#:~:text=An%20online%20platform%20will%20qualify,or%20very%20large%20search%20engines.