202211.10
0

Efiçenca e Përdorimit të Energjisë Elektrike-Instrumenti Rregullator në Veprim

Në prag të dimrit, për shkak të krizës energjetike që ka kapluar mbarë botën përfshirë edhe vendin tonë, Këshilli i Ministrave ka propozuar një akt normativ për “Marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”. Ky akt synon promovimin dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë në vend, përmes zbatimit të mekanizmave të ndryshëm financiarë dhe nxitjes së investimeve në këtë fushë.

Pozita gjeografike dhe kushtet klimaterike që karakterizojnë vendin tonë, krijojnë potencialin për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme. Qëllimi i këtij akti normativ është gjithashtu forcimi i zbatimit të masave dhe rregullave të detyrueshme për t’u zbatuar me qëllim uljen e konsumit të energjisë elektrike për klientët jofamiljarë publikë dhe klientët privatë gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës në furnizim. Nëpërmjet mbështetjes financiare synohet të arrihet:
v Rritja e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme;
v Rritja e diversifikimit të përdorimit të burimeve të energjisë dhe sigurisë së furnizimit me energji në Republikën e Shqipërisë;
v Reduktimi i nevojave për energji elektrike me rreth 3 milionë kWh/vit;
v Reduktimi i emetimeve me rreth 1 000 ton C02;
v Përmirësimi i cilësisë së furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar.

Shfrytëzimi me efikasitet të lartë i burimeve energjetike, në funksion të zhvillimit të një sistemi elektro-energjetik të qëndrueshëm është një prej prioriteteve të programit të qeverisë, për të plotësuar kërkesën në rritje për energji elektrike brenda vendit.

Duke vlerësuar edhe situatën energjetike në vend dhe më gjerë marrja e masave për uljen e konsumit të energjisë elektrike, sipas këtij akti mendohet se do të ndikojë në qëndrueshmërine e furnizimit me energji elektrike përgjatë periudhës së dimrit, ku edhe konsumi energjetik është më i lartë.

Për më tepër informacion, më poshtë mund të gjeni linkun përkatës:
https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20221019105202Aktnormativ%20nr%2014,%20dt%205.10%202022.pdf