202204.29
0

Gjykata Kushtetuese italiane vendos për mbiemrin e të porsalindurve

Gjykata Kushtetuese në Republikën e Italisë, ka shqyrtuar çështjet e legjitimitetit kushtetues mbi rregullat në sistemin juridik italian për dhënien e mbiemrit fëmijëve. Gjykata ka vendosur se rregulli që cakton automatikisht mbiemrin e babait është diskriminues dhe dëmtues për identitetin e fëmijës. Në vazhdën e parimit të barazisë dhe në interes të fëmijës, të dy prindërit duhet të jenë në gjendje të ndajnë zgjedhjen e mbiemrit të tij, i cili është një element themelor i identitetit personal. Prandaj, do të bëhet rregull që fëmija të marrë mbiemrin e të dy prindërve sipas radhës së rënë dakord prej tyre, përveç rastit kur ata vendosin, me marrëveshje të përbashkët, t’i atribuojnë vetëm mbiemrin e njërit prej të dyve. Në mungesë të marrëveshjes për rendin e atribuimit të mbiemrit të të dy prindërve, ndërhyrja e gjyqtarit në përputhje me dispozitat e sistemit ligjor mbetet e paprekur.

Ndërkohë, Kodi i Familjes së RSH ka të përcaktuar ndër të tjera në nenin 52 të saj, se kur nuk arrihet marrëveshja ndërmjet prindërve lidhur me mbiemrin e fëmijës, ky i fundit do të mbajë mbiemrin e të atit.  Duke marrë shkas nga vendimi  i Gjykatës Kushtetuese Italiane, pyetja që shtrojmë është:

A përbën diskriminim paragrafi i fundit i nenit 52, i cili shprehet automatikisht për caktimin e mbiemrit të babait të fëmijës në mungesë të një marrëveshjeje midis prindërve?