202204.05
0

Projektligji “Për një Ndryshim në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji me nismën e tre deputëteve “Për një ndryshim në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë” lidhur me shfuqizimin e paragrafit të parë të nenit 262 të Kodit Penal “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Si stimul legjislativ për këtë nismë duket se ka shërbyer vendimi nr.24/2021, datë 07.06.2021 i Gjykatës Kushtetuese ku është vendosur shfuqizimi i shprehjes ”pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal. Boshllëku ligjor i prodhuar është adresuar njëkohësisht me shfuqizimin, duke i ngarkuar Kuvendit detyrën për plotësimin e normës ligjore.

Siç kemi sjellë edhe herë tjetër në vëmendje, duket se ka një qasje proaktive të deputetëve drejt ushtrimit të të drejtës që kanë për të propozuar ligje. Në optikën ligjëbërëse dhe procesit si i tillë, duket e dobishme ajo se çdo deputet duhet të jetë “i dukshëm”  në ushtrim të mandatit përfaqësues pa ngelur në hijen e pushtetit si një i tërë.

Zanafilla e këtij projektligji nis me ngritjen e një çështjeje penale nga Prokuroria e Gjykatës së Rrethit Shkodër e cila depozitoi në këtë Gjykatë, kërkesën për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit A.B., për kryerjen e veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme ” të parashikuar nga neni 262, paragrafi i parë, i KP. Me përfundimin e çështjes nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, çështja u ngrit në Gjykatën e Apelit Shkodër, ku me vendim të ndërmjetëm kjo e fundit vendosi pezullimin e shqyrtimit të çështjes të të pandehurit për këtë vepër penale si dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë me objekt: Shfuqizimin e togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të KP, si të papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës.

Në vendimin e   saj nr. 24/2021, datë 07.06.2021, Gjykata Kushtetuese, është shprehur se liria e tubimeve paqesore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to, garantohet në nenin 47, pika 1 e Kushtetutës. Kjo liri nuk kufizohet nga qëllimi i tubimit, mjafton që ai të jetë paqësor. Termi “tubim ” përkufizohet nga ligji nr. 8773/2001 me grumbullimet; manifestimet, mbledhjet dhe parakalimet me karakter paqësor dhe pa armë, në të cilat një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme për të cilat janë të interesuar, duke përfshirë edhe tubimet urgjente (neni 2, pika 5 i ligjit), të cilat zhvillohen kur ka rrethana urgjente (neni 7 i ligjit). Nga ana tjeter, neni 47, pika 2, e Kushtetutës parashikon se “tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj. Në këtë mënyrë, Kushtetuta ia ka deleguar ligjvënësit rregullimin e procedurave që duhet të ndiqen kur tubimet paqësore zhvillohen në sheshe dhe në vende të kalimit publik, pasi në këto lloj rastesh ushtrimi i lirisë së tubimit paqësor ndikon në ushtrimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të tjerë, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës.

Në rastin konkret, Gjykata konstaton se neni 262, paragrafi i parë, i Kodit Penal përdor shprehjen “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, për zhvillimin e tubimeve në sheshe ose vendkalime publike, ndërkohë që ligji nr. 8773/2001 për këto lloj tubimesh përcakton se duhet njoftimi me shkrim i Policisë së Shtetit. Fjala “leje” nënkupton miratimin ose të drejtën që i jepet dikujt për të bërë diçka, për të kryer një punë a veprimtari të caktuar, për të përdorur a për të marrë diçka, ndërsa fjala “njoftim” ka kuptimin e lajmërimit apo e vënies në dijeni të dikujt. Nga ky krahasim gjuhësor konstatohet se bëhet fjalë për dy terma të ndryshme, që përfshijnë dy lloje të ndryshme sjelljesh, te të cilat është e qartë që leja mbron vetëm qytetarët që nuk marrin pjesë në tubim, ndërsa njoftimi u shërben jo vetëm atyre, por edhe pjesëmarrësve në tubim. Këto dy terma nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën duke krijuar pasiguri, paqartësi dhe duke cënuar parimin e sigurisë juridike nga dispozita objekt shqyrtimi.

Në këtë situatë organizuesit dhe pjesëmarrësit në tubim e kanë të paqartë se cilit ligj duhet t’i referohen për të ushtruar lirinë e tubimit dhe të mos mbajnë përgjegjësi penale, pra nëse duhet të marrin leje (të paraqesin kërkesë dhe të presin konfirmim) ose nëse duhet të bëjnë thjesht njoftim me shkrim. E njëjta paqartësi krijohet edhe për Policinë e Shtetit dhe organet e ndjekjes penale, që nuk mund të zgjidhet me metodat e interpretimit.  Gjykata vlerëson se shprehja objekt shqyrtimi, pavarësisht se ndjek një synim legjitim, sikundër është zhvillimi paqësor i tubimit dhe ruajtja e sigurisë publike dhe e të drejtave të të tjerëve në sheshe dhe vende të kalimit publik, cënon parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë në përmbajtje, çka krijon vështirësi në njohjen, kuptimin dhe zbatimin e kësaj norme penale nga individët dhe organet ligjzbatuese. Për sa më lart, Gjykata, me qëllim që t’i japë ligjvënësit kohën e mjaftueshme për të miratuar rregullat e reja ligjore në përputhje me vendimin e saj, vlerëson se Kuvendi duhet të rishikojë nenin 262, paragrafi i parë, të KP-së në drejtim të harmonizimit të tij me nenin 47 të Kushtetutës, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda afatit 6-mujor, i cili fillon nga shpallja e këtij vendimi dhe zgjat deri në hyrjen në fuqi të tij. Gjykata e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër për papajtueshmëri të nenit 262 të KP me nenin 47 të Kushtetutës.

Në përfundim, ka vendosi shfuqizimin e shprehjes ”pamarrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.

Më poshtë, mund të gjeni në link projektligjin “Për një ndryshim në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”.

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20220324114728Projektligj%20nismaKryemadhi,%20Vasili,%20Xhixho.pdf