202203.18
0

Schwabe dhe M.G. kundër Gjermanisë

Duke qenë Samiti i G8 për krerët e shteteve dhe qeverive u mbajt në Heiligendamm, pranë Rostock, më 6 – 8 qershor 2007, në atë periudhë autoritetet gjermane ishin të shqetësuar nga sulmet terroriste dhe shkatërrimet e pronave nga radikalët të cilët planifikonin ta sabotonin samitin. Arsyet e shqetësimit të autoriteteve gjermane vinin si pasojë se gjatë javës para samitit në vend pati trazira dhe shqetësime serioze, ku mbi 1000 protestues u arrestuan dhe 400 policë u plagosën.

Gjatë mbrëmjes së 3 Qershorit paditësit gjendeshin në parkingun e Burgut Waldeck, në Rostock, bashkë më 7 persona të tjerë në momentin kur pranë tyre u afrua policia. Nga policia pretendohet se njëri prej paditësve ka kundërshtuar kontrollin e identitetit nga ana e policisë si dhe ka pasur shenja të një përplasje fizike të vogël. Pasi kontrolluan letërnjoftimet e tyre, autoritetet inspektuan makinën e paditësve ku gjetën pankarta me sloganet “Liri për të gjithë të burgosurit” dhe  “Lirojini të gjithë tani”. Më pas policia i arrestoi dy paditësit dhe sekuestroi pankartat e tyre.

Ata u dërguan para Gjykatës së Qarkut gjatë orëve të para të mëngjesit të 4 Qershorit 2007. Gjykata urdhëroi burgimin e tyre deri më 9 Qershor 2007 me arsyetimi se po i ndalonte ata të kryenin krime.

Paditësit depozituan disa ankesa në gjykatën gjermane, por të gjitha rezultuan të pasuksesshme. U mbajtën në burg për 5 ditë e gjysëm dhe kur u liruan edhe Samiti G8 kishte përfunduar. Akuzat penale kundër njërit prej paditësve për pengim të punonjësve të policisë gjatë kontrollit të identitetit u hoqën dhe nuk pati kurrë ngritje të ndonjë akuze për nxitje konflikti.

Vendimi

Arrestimi dhe burgosja e paditësve, sipas Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (këtu e në vijim referuar si “Gjykata”), cënonte të drejtat e tyre për lirinë dhe sigurinë e personit sipas nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata hodhi poshtë pretendimet e Gjermanisë, e cila thoshte se veprimet e saj ishin në përputhje me Konventën sepse ndalimi ishte i nevojshëm dhe i arsyeshëm, në mënyrë që të parandalohej kryerja e një vepre penale (neni 5 (1)(c)), njëkohësisht edhe Gjermania të përmbushte detyrimin e saj për të mbrojtur qytetarët gjerman (neni 5(1)(b)) .

Sipas Gjykatës, neni 5(1)(c), i cili lejon një shtet të ndalojë një person “aty ku është e nevojshme, në mënyrë të arsyeshme për ta parandaluar atë nga kryerja e një vepre penale”, lejon një shtet vetëm të parandalojë një “vepër konkrete dhe specifike”. ” Për t’u mbështetur në këtë bazë, shteti duhet të jetë në gjendje të përcaktojë vendndodhjen, kohën dhe viktimat e krimit potencial. Për më tepër, ndalimi duhet të kryhet me qëllim të sjelljes së individit para një organi juridik kompetent për t’iu përgjigjur akuzave penale.

Gjykata vuri në dukje se gjykatat themelore gjermane kishin dështuar vazhdimisht në identifikimin e krimeve të supozuara që paditësit mund të kryenin. Për shembull, një gjykatë pretendonte se paditësit donin t’i nxisnin të tjerët që të lironin me forcë të burgosurit në burgun e Waldeck, ndërsa një gjykatë tjetër tha se ata synonin të shkonin me makinë në Rostock dhe të acaronin turmën, turmë e cila përfshinte demostrues tepër të dhunshëm. Paditësit kanë thënë se gjuha e përdorur në pankarta nuk kishte kurrsesi qëllim që të frymëzonte civilët për të liruar të burgosurit me dhunë, përkundrazi iu drejtohej autoriteteve, deklaratë kjo e cila krijoi akoma më shumë paqartësi. Gjykata deklaroi se ndalimi nuk ishte bërë në mënyrë të arsyeshme nga autoritetet sepse policia thjesht mund t’u kishte sekuestruar pankartat. Për këtë arsye Gjykata vendosi se dënimi nuk është i justifikuar nën nenin 5 (1)(c).

Gjithashtu Gjykata deklaroi se neni 5(1)(b), i cili autorizon paraburgimin për të siguruar “përmbushjen e çdo detyrimi të përcaktuar me ligj”, mund të kufizohet në situatat në të cilat një person ndalohet për ta detyruar atë të përmbushë një “të vërtetë dhe detyrim specifik”, të cilin ai/ajo nuk e ka përmbushur. Ndalimi nuk duhet të jetë ndëshkues si dhe duhet të përfundojë me patjetër pasi të jetë shlyer detyrimi. Në këtë rast, neni 5(1)(b) nuk e garantonte burgimin sepse Gjermania dështoi të identifikonte detyrimin ligjor që paditësit kishin shkelur.

Liria për një tubim paqësor

Nga Gjykata u konstatua se Gjermania kishte shkelur edhe të drejtën për lirinë e tubimit paqësor, neni 11 i Konventës. Shkelja erdhi sepse burgosja e paditësve i ndaloi këta të fundit të shprehnin mendimet e tyre bashkë me demonstruesit e tjerë që protestonin kundër Samitit të G8.

Gjykata theksoi se neni 11 mbron ekskluzivisht të drejtën për tubim paqësor dhe se nuk zbatohet për demonstratat në të cilat organizatorët apo pjesëmarrësit synojnë të përdorin dhunë. Megjithatë, mundësia që radikalët t’i bashkohen protestave nuk do të thotë që mund të shkelet e drejta. Aty ku ekziston ky rrezik, e drejta për lirinë e tubimit mund të kufizohet në mënyra që janë të autorizuara me ligj, thelbësore në një shoqëri demokratike si dhe janë të arsyetuara me një qëllim legjitim si siguria kombëtare apo parandalimi i kriminalitetit. Pra bëhet fjalë për balancim të të drejtave dhe lirive.

Gjykata konstatoi se burgimi i paditësve për një periudhë disa ditore ishte jo proporcionale ndaj kërcënimeve në këtë situatë. “Një ekuilibër i drejtë midis qëllimeve të mbrojtjes së sigurisë publike dhe parandalimit të krimit dhe të drejtës së kërkuesve për lirinë e tubimit nuk mund të arrihej duke çuar paditësit në burg për disa ditë,” – tha Gjykata.

Për këtë shkelje, Gjykata urdhëroi Gjermaninë t’i paguante secilit paditës shumën prej 3000 euro si dëmshpërblim si dhe pagesën e shpenzimeve ligjore.

Eni Zere – Intern