202202.23
0

Nisma ligjore për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

 

Në referim të Ligjit nr.43/2016 “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës Për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike Në Çështjet Juridike dhe Tregtare”.

Projektligji konsiston në zbatimin e marrëveshjes për çështjet civile tregtare të cilat përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, trashëgiminë dhe marrëdhëniet e tjera civile ose tregtare të personave fizikë dhe juridikë, përveç rasteve të përjashtuara shprehimisht me këtë marrëveshje. Risi e kësaj marrëveshje është garantimi i së drejtës së shtetasve për qasje të lirë pranë gjykatave si dhe i së drejtës së ndihmës juridike falas.

Në mënyrë të përmbledhur kjo procedurë përfshin:

  • Ofrimin për mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave nga të dyja palët për të cilat zbatohet kjo marrëveshje.
  • Qasja e lirë pranë gjykatave dhe organeve të tjera nga shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër. Ata mund t’i mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, të parashtrojnë kërkesa dhe të ndërmarrin veprime para këtyre organeve në kushte të njëjta me shtetasit e palës tjetër.
  • Të drejtën juridike falas dhe të përjashtimit nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore në procedurat për të cilat zbatohet kjo marrëveshje, për shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër dhe anasjelltas.

Gjithashtu, në këtë projektligj parashikohen format e bashkëpunimit, që sigurohet nëpërmjet dhënies së ndihmës së ndërsjellë juridike, si:

  • Dorëzimi i letërthirrjeve dhe dokumenteve të tjera gjyqësore dhe jashtëgjyqësore,
  • Marrja e dëshmisë nga palët dhe dëshmitarët, marrja e mendimeve të ekspertëve,
  • Ofrimi i informacioneve lidhur me dispozitat ligjore të brendshme.

Një formë tjetër e bashkëpunimit është nëpërmjet njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe të arbitrazhit, si edhe çdo lloji tjetër të ndihmës që nuk është në kundërshtim me legjislacionin e palës së kërkuar. Ky bashkëpunim realizohet ndërmjet institucioneve ligjzbatuese (gjykatat;prokuroritë) dhe autoriteteve qendrore (Ministria e Drejtësisë) të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Pala e kërkuar mund të refuzojë ndihmën juridike nëse:

  • Konsideron se nuk plotësohen kushtet për dhënien e ndihmës juridike siç përcaktohen në këtë marrëveshje.
  • Plotësimi i saj cënon sovranitetin, sigurinë ose vjen në kundërshtim me rendin publik.

Në lidhje me letërporositë, secila palë mund t’u përcjellë autoriteteve kompetente gjyqësore të palës tjetër letërporosi me qëllim sigurimin e provave, si marrja e dëshmive apo deklaratave nga dëshmitarët ose ekspertët, përcjellja e dokumenteve ose provave të tjera të siguruara. Letërporosia nuk përdoret për të siguruar prova të cilat nuk do të përdoren në procedurë gjyqësore.

Njohja dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore bëhet në përputhje me legjislacionin e brendshëm të palës së kërkuar. Gjykata nuk e shqyrton çështjen në themel, por vetëm kontrollon nëse vendimi gjyqësor, njohja dhe ekzekutimi i të cilit kërkohet, nuk përmban dispozita që përbëjnë shkak për refuzimin e njohjes dhe ekzekutimit sipas marrëveshjes.

Kjo marrëveshje zbatohet për vendimet e lëshuara nga gjykatat e Palëve në çështjet civile dhe tregtare. Fushat në të cilat ajo nuk zbatohet janë:

  • Çështjet që lidhen me falimentimin ose likuidimin e shoqërive tregtare;
  • Çështjet për sigurimin social;
  • Vendimet për pagesë të detyrimeve doganore, taksave si dhe dënimet për kundërvajtjet administrative që lidhen me to.

Për çdo mosmarrëveshje që mund të lindë ndërmjet Palëve lidhur me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, zgjidhet në rrugë diplomatike ose nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë mes autoriteteve qendrore të Palëve, në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm.

Për më tepër detaje rreth kësaj marrëveshjeje më poshtë gjeni linkun e përmbajtjes së Marrëveshjes për ndihmën e ndërsjellë juridike.

https://ëëë.parlament.al/Files/ProjektLigje/20220210160822Marreveshja%20me%20Kosoven.pdf