202202.02
0

Mbështetja dhe zhvillimi i STARTUP-EVE

Vitet e fundit është pranuar se risia në idetë e startup-eve konsiderohen si faktorët kryesorë të rritjes ekonomike dhe të punësimit dhe është konstatuar se kompanitë e reja të zhvilluara fillimisht si startup-e, renditen tashmë në vendet e para të bizneseve më të mëdha të globit. Idetë dhe risitë e zbatuara nga startup-et kanë revolucionuar modelet e biznesit, duke sjellë produkte dhe shërbime të reja në treg.

Bazuar në nismën legjislative të Këshillit të Ministrave, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji “Për mbështetjen dhe zhvillimet e STARTUP-EVE”. Projektligji synon krijimin e një kuadri rregullator dhe institucional, i cili mbështet e favorizon krijimin dhe zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e ekosistemit për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve, modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë.

Objektivat që synohen të arrihen përmes miratimit të këtij projektligji dhe zbatimit të tij janë:

  • Përcaktimi i lehtësirave fiskale, i programeve dhe masave që mbështesin startup-et në fazën fillestare të biznesit (periudha e inkubimit) dhe mbështetjen e ekosistemit për të krijuar një klimë të favorshme për to në Republikën e Shqipërisë;
  • Organet shtetërore, të cilat ngarkohen me detyrat e kompetencat për mbështetjen e startup-eve;
  • Përcaktimi i kritereve, rregullave dhe procedurat që zbatohen për certifikimin, mbështetjen, vlerësimin e monitorimin e startup-eve;
  • Nxitja në krijimin e një mjedisi të favorshëm dhe duke synuar përvetësimin e aktorëve që mungojnë aktualisht, kryesisht të subjekteve që ofrojnë inkubim, mentorim e financim të startup-eve të reja;
  • Rritja e aplikimit të teknologjive të reja, rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja dhe të atyre inovative dhe futjen e instrumenteve të reja financiare, në veçanti në mbështetjen e atyre bizneseve që janë në fazën fillestare të tyre (startup).

Mbështetja për zhvillimin e startup-eve kryhet nëpërmjet:

  • shërbimit “startup one-stop-shop” për mbështetjen e startup-eve;
  • zhvillimit të ekosistemit mbështetës për startup-et;
  • dhënies së granteve financiare ose masave mbështetëse për zhvillimin e startup-eve;
  • formave të tjera mbështetëse të zhvilluara në bashkëpunim me palë të treta.

Organet përgjegjëse në fushën e zhvillimit të startup-eve janë:

  • Ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
  • Këshilli i Startup-eve;
  • Ministritë ose institucionet e tjera publike.

Regjistri i startup-eve dhe lehtësuesve:

Regjistri i startup-eve dhe lehtësuesve krijohet e administrohet nga struktura përgjegjëse pranë ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, si  bazë shtetërore të dhënash në funksion të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore. Ky regjistër shërben për vetëdeklarimin e startup-eve dhe për mbajtjen e të dhënave të startup-eve dhe të lehtësuesve të regjistruar, për kërkuesit dhe përfituesit e granteve dhe të masave të tjera mbështetëse nga ana e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Për më tepër informacion, më poshtë gjeni projektligjin për “Për mbështetjen dhe zhvillimet e STARTUP-EVE”.

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20220112160237ZHVILLIMI%20I%20START-UP.pdf