202201.26
0

Certifikimi i Profesionit të Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme

Prej vitesh shteti shqiptar ka hasur problematika të mëdha në sektorin e pasurive të paluajtshme, pasi është një ndër mekanizmat më të prekura nga veprimtaria e pastrimit të parave. Rritja stratosferike e çmimeve në tregun e shitblerjeve të apartamenteve veçanërisht në Tiranë, dëshmon për këtë fakt.

Bazuar në nismën legjislative të Këshillit të Ministrave, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”. Nëpërmjet këtij projektligji synohet mbrojtja dhe garantimi i ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike, për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ngritja e një legjislacioni për certifikimin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme bën të mundur krijimin e kornizës ligjore në përparimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndërmjetës i pasurive të paluajtshme është personi fizik i certifikuar nga Ministria e Drejtësisë si autoriteti shtetëror përgjegjës dhe i regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, për të ndërmjetësuar përfundimin e një marrëveshjeje për realizimin e veprimit juridik të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to. Certifikata i jepet ndërmjetësit brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm.

Kriteret që nevojiten për certifikimin e si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme janë:

  • Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
  • Të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë;
  • Të mos jetë nën hetim apo gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;
  • Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
  • Të mos jetë dënuar me masë administrative gjobë ose masën administrative që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsërisë në të ardhmen, për shkelje të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, të paktën jo më herët se 6 (gjashtë) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
  • të ketë përfunduar programin e detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme.

Profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë ka të drejtë ta ushtrojë edhe çdo shtetas shqiptar ose i huaj, që është pajisur me licencën e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, sipas rregullave të atij shteti anëtar dhe ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me një zyrë të ndërmjetësimit në veprimet juridike lidhur me pasuritë e paluajtshme, të ndodhur në Republikën e Shqipërisë.

Shtetasit e huaj përveçse duhet të plotësojnë kriteret e mësipërme duhet të provojnë zotërimin e gjuhës shqipe përmes një dokumenti të lëshuar nga autoritetet kompetente.

Përsa i përket procedurës së veprimtarisë së ndërmjetësit, ai lidh kontratën për ndërmjetësimin në veprimet juridike me objekt pasuritë e paluajtshme, përmes së cilës ndërmjetësi merr përsipër, sipas kërkesave të klientit, të ndihmojë në realizimin e veprimit juridik të kërkuar, kundrejt tarifës përkatëse. Për të patur vlefshmëri juridike, kontrata bëhet me shkresë duke përcaktuar kushtet thelbësore të saj. Nëse kjo kontratë lidhet pa kohëzgjatje të caktuar do të konsiderohet se është e lidhur për një afat prej 6 muajsh.

Për më tepër informacion, më poshtë gjeni projektligjin për “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”.

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20211217154724NDERMJETES%20-%20PASURITE%20E%20PALUAJTSHME.pdf