202111.04
0

PADIA KOLEKTIVE, MJETI I RI PROCEDURAL

Paditë kolektive, janë më shumë një “shpikje” e krijuar nga gjykatat angleze si “një përjashtim nga rregulli i zakonshëm që procesi gjyqësor zhvillohet vetëm nga dhe në emër të palëve individualisht të emërtuara”.

Edhe pse paditë kolektive kanë qenë të spikatura hershëm në sistemin anglo-sakson, shumë njerëz habiten kur mësojnë se veprime të tilla kanë qenë pjesë e sistemit ligjor për qindra vjet. Ndërsa shumë veprime në grup përfshijnë mosmarrëveshje relativisht të vogla, disa raste kanë pasur ndikime të rëndësishme në ligj dhe shoqëri, p.sh. në Shtetetet e Bashkuara të Amerikës, “Scopes Monkey Trial” ishte padyshim padia e parë e veprimit kolektiv që mori vëmendjen e gjerë të medias (dhe në fund u bë objekt i shfaqjeve dhe filmave të shumtë skenik). Filloi si një sfidë nga Unioni Amerikan i Lirive Civile kundër një ligji të shtetit të Tenesit, i miratuar në vitin 1925, i cili në thelb i ndalonte mësuesit e shkollave publike të paraqisnin teorinë e evolucionit të Darvinit.

Në këtë kontekst, zhvendosur dukshëm në kohë, vjen dhe nisma ligjore për shqyrtimin dhe miratimin e një instrumenti të tillë edhe në sistemin ligjor shqiptar. Projektligji për paditë kolektive, i paraqitur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, vjen si nismë ligjvënëse e një deputeti. Si e tillë, vlen për tu përshëndetur, si një lëvizje pozitive në kontekstin e ndryshimit të një tradite të konsoliduar ku nga ana sasiore pjesa më e madhe e legjislacionit propozohet nga Këshilli i Ministrave. Paditë kolektive do të jenë një mjet i ri procedural që do të sigurojë mbrojtjen kolektive të konsumatorëve dhe grupeve të tjera në instanca gjyqësore duke përfshirë dhe dëmshpërblimin kolektiv.

Ky projektligj ka për qëllim të lehtësojë aksesin në drejtësi, parandalimin e një sjelljeje të paligjshme dhe mundësinë e një kompensimi në rast të shkeljeve të të drejtave civile, ekonomike si edhe shkeljet në marrëdhëniet e punës. Pra, synimi qëndron tek mbrojtja e konsumatorëve, punëmarrësve apo grupeve të tjera me interesa të përbashkëta, për të cilat mbrojtja individuale nuk rezulton efektive. Aspekti pozitiv në këtë projektligj është shmangia e gjykimit të shumë padive individuale për të njëjtin rast të dëmit kolektiv në një procedurë kolektive të vetme, duke ruajtur në këtë mënyrë, ekonominë gjyqësore.

Sistemet juridike e kanë implementuar në mënyra të ndryshme këtë instrument ligjor në legjislacionin e tyre të brendshëm. Duke u bazuar në kuadrin ligjor procedural në Shqipëri, mënyra më e përshtatshme është menduar miratimi i një ligji të veçantë për paditë kolektive, sesa implementimi i këtyre dispozitave në Kodin e Procedurës Civile.

Padia kolektive mund të ngrihet nga: disa anëtarë të një grupi të dëmtuar; përfaqësuesi i tyre, Prokurori ose Organizatat Jofitimprurëse (OJF) të cilat kanë për objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave që mund t’i jenë cenuar një grupi të caktuar.

Vendimi mbi padinë kolektive do të prodhojë pasoja vetëm mbi individët të cilët janë përfshirë në procedurën kolektive. Por, projektligji parashikon edhe mekanizmin e përjashtimit, sipas së cilës të gjithë anëtarët e një grupi të cilët kanë pësuar një dëm kolektiv, janë a priori pjesëmarrës në një procedurë kolektive të iniciuar, pavarësisht pasivitetit të tyre për përfshirjen në këtë procedurë. Në këtë rast, individët e një grupi të caktuar mund të përjashtohen nga pasojat e një vendimi mbi një padi kolektive, vetëm në rastet kur e kërkojnë shprehimisht përpara gjykatës, në formën e përcaktuar nga projektligji.

Gjithashtu, është parashikuar edhe zgjidhja kolektive, e cila është një marrëveshje e përbashkët midis grupit të dëmtuar dhe ndërmarrjes që ka shkaktuar dëmin kolektiv, që rregullon mënyrën sesi do të dëmshpërblehet grupi i dëmtuar nga ndërmarrja, masa e dëmshpërblimit dhe personat që do të përfitojnë. Ky mjet procedural, shmang tejzgjatjet që kërkon shqyrtimi i një padie kolektive.

Një risi tjetër është edhe përfshirja e një noteri publik në në procedurën e ekzekutimit të një vendimi të formës së prerë të gjykatës. Është parashikuar se masa tërësore e dëmshpërblimit të dhënë nga gjykata t’i kalohet noterit në një llogari të posaçme. Më pas, noteri bën shpërndarjen e masave të dëmshpërblimit tek secili anëtar i grupit që legjitimohet për të përfituar dëmshpërblim, sipas kërkesave të parashikuara në projektligj.

Për më tepër informacion rreth këtij projektligji, më poshtë gjeni linkun përkatës.

https://wwwww.parlament.al/Files/ProjektLigje/20211011115545Prligj%20deputetja%20K.Bushka.pdf