202110.05
0

A është Komisioni Mjekësor Epror i Caktimit të Aftësisë për Punë një organ quasi-gjyqësor?

(Vlerësimi i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencë e GJEDNJ)

Nocioni i Kontratës Sociale nga Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau) nënkupton se, përmes dorëheqjes kolektive nga të drejtat dhe liria individuale që subjektet kanë në “Gjendjen e tyre Natyrore” dhe transferimit të këtyre të drejtave një entiteti kolektiv, formohet një “person” i ri, si të thuash. Sovrani pra, krijohet kur subjektet, të lirë dhe të barabartë bien dakord të rikrijohen sërish si një entitet i vetëm, për të mirën e të gjithëve së bashku.

Pjesë e shfaqjes së sovranitetit është edhe dhënia e drejtësisë, e cila, inter alia, duhet të përmbushë të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të prodhohen vendime të drejta, transparente, të paanshme dhe të pavarura nga çdo ndikim irrelevant.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në bazë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, drejtësia jepet nga pushteti gjyqësor, i cili është tre-shkallësh dhe ushtrohet nga Gjykata e Lartë, gjykatat e apelit dhe nga gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. Këtu, lind çështja e vënies në diskutim të ngurtësisë së pohimit të mësipërm, gjithnjë në sensin që; Po një organ, që tradicionalisht nuk përfshihet në pushtetin gjyqësor, a mundet të japë drejtësi si i tillë, sipas standardeve kushtetuese dhe konventore?

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, përmes vendimit të 22 Korrikut të vitit 2021 (nr.00-2021-1317 i vendimit 113) rikujton se Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e krijimit nga ligji të organeve quasi-gjyqësore, të cilat paraqiten me karakteristikat e qenësishme, herë të organeve administrative dhe herë të organeve gjyqësore. (§ 49)

Në praktikën konstante të GJEDNJ, mbahet qëndrimi se, nëse një organ administrativ i ngarkuar për të shqyrtuar mosmarrëveshjet mbi të “drejtat dhe detyrimet me karakter civil” nuk përmbush të gjitha kërkesat e nenit 6 § 1, nuk ka shkelje të Konventës (KEDNJ) nëse vendimet e këtij organi janë të atakueshme gjyqësisht. Që një organ administrativ apo jo gjyqësor klasik të kualifikohet si “tribunal” në kuptim të Konventës dhe eventualisht të ketë kapacitet të plotë për të shqyrtuar mosmarrëveshje mbi të “drejtat dhe detyrimet me karakter civil“, duhet që të ketë disa karakteristika kryesore, si: krijimi i tyre nga ligjvënësi; rregullimi nga ligji i organizimit dhe funksionimit të tyre; ligji të ofrojë garanci materiale dhe procedurale për pavarësinë dhe paanësinë e trupës gjykuese, qoftë nga pushteti ekzekutiv apo nga vetë palët.

Nga çështja “Dauti kundër Shqipërisë”, GJEDNJ doli me qëndrimin se KMCAP Epror (Komisioni) nuk përbënte një gjykatë në kuptim të nenit 6 të Konventës. Marrë parasysh këtë fakt, si dhe masat e përgjithshme dhe individuale të vendosura nga GJEDNJ në këtë çështje, ligjvënësi riformatoi parashikimet ligjore për KMCAP Epror me anë të ligjit nr.10447, datë 14.07.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.”. Gjithashtu, veprimtaria e Komisionit rregullohet edhe me VKM nr.505, datë 10.06.2015 “Për organizimin, funksionimin dhe shpërblimin e komisioneve eprore të caktimit të aftësisë për punë.”

Nën optikën e Kolegjit Administrativ, sipas qëndrimit të parë njësues, megjithë ndryshimet ligjore dhe miratimin e VKM-së së mësipërme, Komisioni nuk i plotëson të gjitha standardet e vendosura nga GJEDNJ në çështjen “Dauti kundër Shqipërisë” dhe standardet kushtetuese të gjykatës së krijuar me ligj, mbi pavarësinë dhe patundshmërinë e gjyqtarëve. Eventualisht, nuk përmbushen kërkesat e nenit 6 KEDNJ dhe ato të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë lidhur me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Në këto kushte, Komisioni ende nuk përbën një organ quasi-gjyqësor dhe është e pamundur që vendimet e tij të mos i nënshtrohen kontrollit të mëtejshëm gjyqësor. (§121)

Në çështjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës (nr.26374/18 aplikimi), për të interpretuar të drejtën për një “gjykatë të krijuar me ligj”, Gjykata rikujtoi se “tribunali” karakterizohet, në kuptimin material të fjalës, nga funksioni i tij gjyqësor për të shqyrtuar çështje brenda kompetencës së tij, në bazë të rregullave ligjore dhe pas procedurave të kryera në një mënyrë të caktuar (§219). Fraza “krijuar me ligj” mbulon jo vetëm bazën ligjore për ekzistencën e tribunalit, por edhe pajtimin e tij me rregullat specifike që e rregullojnë atë dhe përbërjen e trupës gjykuese në çdo çështje (§223). Në konvergjencë të plotë me këto interpretime, GJEDNJ thotë se nëse një organ gjyqësor (apo quasi-gjyqësor) nuk përmbush kërkesat e pavarësisë (veçanërisht nga pushteti ekzekutiv) dhe paanësisë, mund të mos përbëjë “gjykatë” në kuptim të nenit 6 § 1 të KEDNJ (§232).

Në qëndrimin e dytë njësues, Kolegji Administrativ u shpreh se në ligjin 7703/1993, neni 39/1, pika 3 në pjesën ku parashikon se “Vendimi i Komisionit Epror është i formës së prerë” vjen në kundërshtim me vendimin e GJEDNJ “Dauti kundër Shqipërisë”. Sipas këtij konkluzioni, dispozita e sipërpërmendur do të mbetet e pazbatueshme për sa kohë Komisioni nuk përmbush kushtet konventore dhe kushtetuese si organ quasi-gjyqësor. Në vend të saj, do të zbatohet drejtpërdrejt vendimi i përmendur më sipër në këtë paragraf i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe dispozitat kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e përgjithshme të ankimit dhe kontrollin gjyqësor mbi aktin administrativ (§159).

https://iep.utm.edu/soc-cont/#SH2c

http://www.gjykataelarte.gov.al/web/3553_merushe_shpata_vendim_njehsues_6252.doc

http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-206582