201612.01
0

ELI Conference

Studio Ligjore “Bitri & Bakiu”, është anëtare e European Law Institute (ELI), një organizatë jo-fitimprurëse e cila në themel të saj ka kontributin, kërkimin, rekomandimet si dhe ofrimin e  udhëzimeve praktike në fushën e të drejtës evropiane. Në kuadër të kësaj anëtarësie patëm nderin të ishim pjesë e Konferencës Vjetore të ELI-t ku u diskutuan çështje të brendshme organizative dhe ku më tej Konferenca vijoi me një seri Webinaresh të cilat kishin në fokus çështjet më të nxehta të momentit në Europë, në botë dhe pse jo edhe në rajonin tonë të Ballkanit.

Me prezencën kryesore të këtij viti të Presidentit të ELI-t Christiane Wendehorst, Ministres së Drejtësisë së Austrisë, Alma Zadic dhe Komisionerit Evropian për Drejtësinë Didier Reynders, ndjekur nga 14 webinarë të ndryshëm duke përfshirë edhe sesionin e Q&A, në kushtet e një pandemia globale ku kontakti fizik është zëvendësuar me atë virtual, konferenca vjetore u zhvillua nëpërmjet platformës Zoom.

Fjala hapëse e konferencës u mbajt nga Presidenti i ELI-t Christiane Wendehorst, e cila theksoi edhe njëherë se në kushtet e një krize të tillë globale, pavarësisht dëshirës për të qënë fizikisht me të gjithe anëtarët, kjo u bë e mundur nëpërmjet digjitalizimit, ku një ndër benefitet ishte përfshirja e madhe e anëtarëve nga e gjithë bota në aktivitete si dhe reduktimi i kostove në lidhje me udhëtimet.

Znj. Wenderhorst theksoi se ndërsa rrethanat aktuale janë duke sfiduar vizionin Evropian me kufijtë e mbyllur dhe ku interesi kombëtar prevalon ndaj idealeve Evropiane, duhet të sigurohemi që përkushtimi i ELI-t dhe anëtarëve të jetë i njëjtë për të përmirësuar legjislacionin në Evropë.

Komisioneri Evropian për Drejtësinë Didier Reynders në thelb të fjalës së tij pati sundimin e ligjit duke u shprehur se:“Ajo që e bën kaq të rëndësishëm sundimin e ligjit është që garanton respektimin e të gjitha vlerave tona, përfshirë demokracinë dhe të drejtat themelore. Bindja ime është e vendosur, nuk mund të ketë kompromis kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të gjitha vlerave të përbashkëta.”

Ndër të tjera, Studio Ligjore Bitri & Bakiu, mori pjesë në disa prej Webinar-eve të zhvilluara të cilat prekën tema të tilla me interes si “Inteligjenca Artificiale dhe Administimi Publik”, ku e para luan një rol të rëndësishëm në modernizimin dhe përmirësimin e administratës publike, por gjithashtu ngrihet dyshimi në lidhje me transparencën, përputhshmërinë apo mos diskriminimin. Gjithashtu një temë tjetër e diskutuar ishte “Biznesi dhe të Drejtat e Njeriut- Aksesi në drejtësi dhe mjetet juridike efektive”, ku u vu theksi se teksa biznesi po fiton gjithmonë e më shumë një ndikim ekonomik dhe social, impakti në të drejtat e njeriut po shikohet me skepticizëm nga ligjvënësit, si në nivel global, Evropian apo kombëtar.

Për këtë qëllim u diskutua në lidhje me projektet e ELI-t me kontributin e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), të cilat synojnë identifikimin e një sërë mundësish rregullatore të BE-së, përfshirë opsionet gjyqësore dhe jo-gjyqësore që synojnë të rrisin aksesin në mjetet juridike për personat të cilëve u janë shkelur të drejtat ne ambjentet e biznesit. Duke qëndruar tek çështjet e biznesit dhe lëvizjen e kompanive nga një shtet në tjetrin, një temë interesante për diskutim ishte “Konflikti i ligjeve për shoqëritë tregtare në BE” (e konsideruar në vijim si ide për të hartuar regulloren Roma V), duke mos patur sukses në hartimin e një akti të tillë gjithçka është lënë në dorë të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në lidhje me të drejtën e lëvizjes së kompanive, mbi shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare, një harmonizim i pjesshëm lë ende vend për diskutim se cili  regjim i të drejtës së shoqërive tregtare do të jetë i zbatueshëm për një shoqëri të caktuar.

Një tjetër prej webinareve trajtoi temën mbi“Qëndrueshmërinë e korporatave, kontabilitetin financiar dhe kapitalin aksionar”, duke u përqëndruar në një larmi iniciativash dhe propozime politikash që synojnë të forcojnë qëndrueshmërinë e koorporatave ne biznes.

Sesionet e webinareve u konkluduan me prezantimin e librit “Koronavirusi dhe Ligji”, i cili përfshinte një koleksion me 60 ese, në përpjekje për të adresuar këtë çështje akute si dhe për të ofruar udhëzime për gjykatësit, bizneset dhe qytetarët në Evropë dhe më gjerë.


Leave a Reply