202107.19
0

Akt Normativ për një shtesë në Procedurat Tatimore

Situata e pandemisë Covid-19 me të cilën po përballet gjithashtu edhe vendi ynë, ka bërë të nevojshme krijimin e një kuadri rregullator që ndihmon tatimpaguesit në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin ligji nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar, sipas dhe në përputhje me datat respektive të fillimit të efekteve të tij, pa qenë nevoja që mbi ta të aplikohen dënimet administrative të parashikuara në ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, ka miratuar Aktin Normativ Nr.27 01.07.2021 “Për një shtesë në Ligjin Nr.9920 datë 19.05.2008, Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, në kreun XV, pas pikes 6, të nenit “Dispozita Kalimtare”, të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore”, të ndryshuar, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:

  1. Përjashtimisht parashikimeve në këtë ligj, për kundravajtjet administrative që lidhen me afatet e hyrjes në fuqi dhe zbatimit efektiv të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar, zbatimi i sanksioneve do të fillojë të aplikohet pas dates 1 janar 2022.

Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij akti normativ janë:

  • Rritja e efektivitetit të procesit të fiskalizimit, duke e bërë sa më të thjeshtë për komunitetin e biznesit dhe duke mos paguar si qëllim penalizimin e tyre;
  • Mbështetja e komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem/proces të ri të fiskalizimit, i cili mundëson një metodologji raportimi në kohë reale ndërmejt Administratës Tatimore dhe Tatimpaguesve.

Për më tepër informacion, më poshtë gjeni linket përkatëse:

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20210702132931AKTI%20NORMATIV.pdf

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20210702132931RELACIONI.pdf